Njoftimi për privatësinë për automjetin
Ky njoftim për privatësinë shpjegon sesi Volvo Cars (në përkufizimin më poshtë) përpunon të dhënat që lidhen me automjetet dhe shërbimet e lidhura që ofrohen nga Volvo Cars.
Për një shpjegim të veçorive dhe funksioneve të automjetit shihni manualit e përdorimit të modelit përkatës. Mbani parasysh se nëse ka ndryshime midis këtij njoftimi dhe manualit të përdorimit lidhur me përpunimin e të dhënave personale, përparësi kanë rregullat në këtë njoftim.
Meqë përpunimi i të dhënave varet nga veçoritë dhe funksionet me të cilat është i pajisur automjeti, si dhe nga shërbimet që zgjidhni të aktivizoni, ky dokument paraqet shtrirjen më të gjerë të përpunimit të mundshëm. Nëse keni një automjet më të vjetër apo nëse një model i ri nuk është i pajisur me një veçori apo funksion të caktuar, nuk do të ketë përpunim të të dhënave të lidhura me atë veçori të caktuar.
Ky njoftim për privatësinë nuk zbatohet për:
- Automjetet e veçanta (p.sh. makinat e policisë)
- Përpunimin e të dhënave personale që nuk dalin nga makina (përpunimi lokal)
- Përpunimin e të dhënave personale, kur ju ndërveproni me një nga shitësit tanë me pakicë (për shembull, kur blini makinën tuaj)
- Përdorimin tuaj të softuerëve, aplikacioneve dhe shërbimeve të ofruara nga palët e treta. (Për informacione të tjera shihni kushtet e përgjithshme të vetë ofruesve të shërbimit të veçantë, si dhe rregulloret për privatësinë/njoftimet e tyre)
- Ofrimin e shërbimit të internetit/lidhjes në makinën tuaj, i cili ofrohet nga një operator i rrjetit celular i pavarur nga Volvo Cars.
Ju lutemi mbani parasysh se Volvo Cars ka njoftime të tjera për privatësinë që duhen lexuar së bashku me këtë informacion për një tablo të plotë. Ne i kemi renditur ato më poshtë për lehtësinë tuaj. Ju mund t'i shihni ato lehtësisht duke ndjekur direkt lidhjet.
Më poshtë do të gjeni:
- Kush jemi
- Çfarë të dhënash personale përdorim dhe përse
- 2.1 Të dhënat e përdorura për qëllimet e Infotainment
- 2.1.1 Ditari i drejtimit
- 2.1.2 Përditësimet me valë të softuerit (OTA)
- 2.1.3 Connected Safety
- 2.1.4 Çelësi dixhital
- 2.1.5 Informacioni i trafikut në kohë reale (RTTI)
- 2.1.6 Intelligent Speed Assist (ISA)
- 2.1.7 Speech Messaging
- 2.1.8 Indeksi i cilësisë së ajrit
- 2.1.9 Sistemi i ofrimit të hartave
- 2.2 Të dhënat që përdoren lidhur me sigurinë
- 2.2.1 Regjistruesi aktiv i të dhënave të sigurisë (ASDR)
- 2.2.2 Regjistruesi i të dhënave të ngjarjeve (EDR)
- 2.2.3 Thirrja e emergjencës (eCall)
- 2.2.4 Shërbimet e qendrës telefonike
- 2.2.5 Sistemi i zbulimit të ndërhyrjes (IDS)
- 2.2.6 Garantimi i baterive të sigurta
- 2.3 Të dhënat e përdorura lidhur me mirëmbajtjen dhe riparimet
- 2.3.1 Planifikimi i servisit
- 2.3.2 Leximi diagnostikues në ofiçina
- 2.3.3 Raportimi i gabimeve
- 2.3.4 Analiza e thelluar e të dhënave të automjetit
- 2.4 Të dhënat e përdorura për qëllimet e kërkimit dhe zhvillimit
- 2.4.1 Kërkimi dhe zhvillimi i aksidenteve në trafik
- 2.4.2 Analiza e të dhënave të automjetit
- 2.4.3 Analiza e automjeteve dhe përmirësimet
- 2.5 Raportimi i emetimeve
- 2.6 Kërkesat e agjencive ligjzbatuese
- Ndarja e të dhënave tuaja personale
- Të drejtat tuaja dhe kontrollet
- Të dhënat e kontaktit
- Përditësimet e këtij njoftimi
1. Kush jemi
Enti përgjegjës për përpunimin e të dhënave personale të referuara më poshtë është Volvo Car Corporation, me zyrë qendrore të regjistruar në adresën Assar Gabrielssons Väg, SE-405 31 Gothenburg, Sweden, me numër regjistrimi të kompanisë 556074-3089, në vijim referuar si "Volvo Cars", "ne" ose "neve". Nëse ka ente të tjera që përpunojnë të dhënat personale së bashku me ne, të ashtuquajtur kontrollues të përbashkët, kjo gjë jepet e specifikuar.
2. Çfarë të dhënash personale përdorim dhe përse
2.1 Të dhënat e përdorura për qëllimet e Infotainment
2.1.1 Ditari i drejtimit
Ditari i drejtimit regjistron automatikisht të gjitha udhëtimet tuaja. Kjo mund të jetë e dobishme, për shembull, kur ju dëshironi të menaxhoni shpenzimet tuaja të udhëtimit. Ditari i drejtimit duhet të jetë i aktivizuar nga ju, përndryshe të dhënat nuk mblidhen.
Nëse aktivizoni ditarin e drejtimit, ne mbledhim identifikuesit tuaj, si për shembull emri dhe mbiemri, numri i telefonit, adresa e emailit, numrin e identifikimit të automjetit tuaj (VIN) dhe vendndodhjen e automjetit, si dhe informacionet e lidhura me udhëtimet, të tilla si itineraret tuaja, koha, distanca, konsumi i karburantit dhe/ose energjisë elektrike dhe kilometrazhi. Në varësi të modelit të makinës suaj, mblidhet vetëm pozicioni i nisjes dhe mbarimit ose e gjithë rruga.
Ne i përpunojmë këto të dhëna në bazë të pëlqimit tuaj.
Si rregull, të dhënat e ditarit të drejtimit ruhen për deri në 400 ditë, në varësi të modelit të makinës. Ju mund ta çaktivizoni në çdo kohë ditarin e drejtimit dhe ky veprim ndalon edhe mbledhjen e të dhënave. Ky veprim nuk shkakton fshirjen e informacioneve të mbledhura më parë.
2.1.2 Përditësimet me valë të softuerit (OTA)
Përditësimet me valë të softuerit bëjnë të mundur që automjeti juaj të përditësojë dhe të ketë softuerin më të fundit, pa qenë nevoja të shkoni në një servis. Përdorimi i softuerit më të fundit garanton që ju të shfrytëzoni plotësisht shërbimet tona të përditësuara. Duke përdorur softuerin më të fundit, ju përmirësoni gjithashtu mbrojtjen tuaj kundër incidenteve të sigurisë kibernetike.
Për të mirëmbajtur softuerin e automjetit dhe për të ofruar përditësimet e nevojshme të softuerit, ne përpunojmë të dhënat e mëposhtme:
- Numri i identifikimit të automjetit (VIN)
- Versioni i softuerit të automjetit
- Kodet diagnostikuese të problemeve
- Data e prodhimit të automjetit
- Specifikimi i automjetit
- Statusi i instalimit dhe raportet
Baza ligjore ku mbështetemi për përpunimin e të dhënave të përmendura më lart është pëlqimi i dhënë nga ju.
Ne i ruajmë regjistrimet e përditësimeve të bëra të softuerit për të gjithë jetëgjatësinë e automjetit.
Ju mund të pranoni ose të refuzoni në çdo kohë përditësimet automatike të softuerit, te cilësimet e privatësisë. Nëse pranoni, përditësimet e softuerit shkarkohen automatikisht dhe ju do të njoftoheni kur përditësimi të jetë gati për instalim. Nëse kundërshtoni, ju do të njoftoheni kur të ketë një përditësim të ri dhe mund ta shkarkoni. Nëse nuk dëshironi të përdorni përditësimet me valë të softuerit, përditësimet mund t'i instaloni në një servis me lidhjen e kërkuar me sistemet tona.
2.1.3 Connected Safety
Makinat tona janë të pajisura me Connected Safety, një shërbim që ofrohet nga ne dhe që jep informacion mbi rreziqet aktuale në trafik teksa jeni duke drejtuar automjetin. Ky informacion bazohet në informacionin që dërgohet nga automjetet e tjera ose, sipas rastit, nga burimet publike. Ky informacion përdoret për t'ju sinjalizuar përpara kohe për ndryshimin e kushteve të rrugës ose për rrezik potencial në rrugë duke shfaqur paralajmërimet e duhura, duke ju dhënë mundësinë të përshtatni stilin e drejtimit në përputhje me rrethanat. Nëse vetë makina juaj dikton një rrezik potencial në rrugë, si për shembull zvogëlim të fërkimit midis gomave dhe rrugës apo nëse aktivizohen sinjalet e rrezikut, ky informacion dërgohet te Volvo Cars. Informacioni përmblidhet dhe kthehet në anonim përpara se të dërgohet tek automjetet që i afrohen pozicionit të makinës suaj.
Të dhënat që ne mbledhim dhe përpunojmë për të mbështetur Connected Safety janë:
- Numri i identifikimit të automjetit (VIN)
- Ngjarjet të tilla si aktivizimi i sinjalizimit të rrugës së rrëshqitshme, aktivizimi i sinjaleve të rrezikut etj.
- Vula e kohës për çdo sinjalizim
- Vendndodhja
Baza ligjore ku mbështetemi për përpunimin e të dhënave të përmendura më lart është zbatimi i kontratës. Ju mund ta aktivizoni dhe ta çaktivizoni shërbimin në çdo kohë.
Gjithashtu, të dhënat e përmendura më lart përpunohen në mënyrë anonime dhe transmetohen tek agjencitë dhe kompanitë e trafikut, për të shmangur dhe për të zvogëluar rreziqet e paraqitura nga trafiku në rrugë, por edhe për të përmirësuar sigurinë rrugore, për të ulur kostot e mirëmbajtjes dhe për të kontribuuar në një mjedis qarkullimi të qëndrueshëm. Volvo Cars dhe Polestar Performance AB (një kompani suedeze me zyrë qendrore në Gothenburg, Assar Gabrielssons Väg 9, SE-405 31, Sweden, në vijim referuar si "Polestar") janë kontrollues të përbashkët për këto qëllime. Të ashtuquajtur kontrollues të përbashkët sipas GDPR-së, Volvo Cars dhe Polestar janë bashkërisht përgjegjës për këtë përpunim. Volvo Cars dhe Polestar kanë rënë dakord me njëra-tjetrën që Volvo Cars është përgjegjëse për t'u dhënë informacion klientëve të saj dhe që të drejtat përkatëse të akorduara nga GDPR do të ushtrohen nga klientët e Volvo në lidhje me Volvo Cars.
Ne e ruajmë informacionin për 1 javë.
2.1.4 Çelësi dixhital
Çelësi dixhital mund të zëvendësojë plotësisht çelësin e zakonshëm të makinës dhe ju mundëson që të mbyllni, të hapni ose të ndizni makinën tuaj me smartfonin ose orën inteligjente të dorës. Gjithashtu, ekziston mundësia që ta ndani çelësin me përdorues të tjerë përmes kanaleve të ndryshme dixhitale.
Çelësi dixhital kërkon lidhje me rrjetin vetëm gjatë konfigurimit fillestar vetëm një herë, për ndarjen e çelësave ose për anulimin e çelësave. Pas konfigurimit, çelësi funksionon përmes Bluetooth, Komunikimit me Fushë të Afërt (NFC) dhe përmes Teknologjisë me Brez Ultra të Gjerë (UWB). Gjatë konfigurimit, çelësi shtohet në aplikacionin e portofolit në pajisjen tuaj inteligjente. Nga aplikacioni i portofolit, ju mund ta ndani çelësin përmes aplikacioneve të mesazheve ose përmes Airdrop®. Ju mund t'i anuloni lehtësisht çelësat që keni ndarë, ose përmes aplikacionit të portofolit, ose nga sistemi i Infotainment të automjetit.
Kur përdoret çelësi dixhital përpunohen të dhënat e mëposhtme:
- Numri i identifikimit të automjetit (VIN)
- Detajet e automjetit
- Statusi i automjetit
- Volvo ID
- ID e çelësit
- Emri miqësor
Baza ligjore ku mbështetemi për përpunimin e të dhënave të përmendura më lart është zbatimi i kontratës.
Ne i ruajmë të dhënat tuaja për aq kohë sa keni një kontratë të vlefshme.
2.1.5 Informacioni i trafikut në kohë reale (RTTI)
Shërbimi Informacioni i trafikut në kohë reale merr informacione rreth trafikut në rrugë nga një ofrues shërbimi palë e 3-të.
Ne përpunojmë nga makina të dhënat e mëposhtme.
- Pozicioni dhe shpejtësia e automjetit – këto ndahen me ofruesin e shërbimit palë e 3-të, për të llogaritur bllokimin e trafikut dhe për t'ju informuar juve dhe drejtuesit e tjerë se ku ekzistojnë rreziqe të bllokimit të trafikut; këto pika të dhënash janë anonime për ofruesin e shërbimit palë e 3-të.
- Numri i identifikimit të automjetit (VIN) – ky përdoret nga Volvo Cars për të verifikuar nëse automjeti juaj ka një abonim për këtë shërbim.
Modelet e makinave të pajisura me sensorë që mund t'i identifikojnë tabelat e qarkullimit në kohë reale teksa ecni me automjet, e bëjnë këtë vetëm përmes përpunimit lokal (në makinë).
Baza ligjore ku mbështetemi për përpunimin e të dhënave të përmendura më lart është zbatimi i kontratës. Ju mund ta aktivizoni dhe ta çaktivizoni shërbimin në çdo kohë.
Të dhënat ruhen nga Volvo Cars për aq kohë sa abonimi është aktiv. Kur abonimi është joaktiv, VIN, shpejtësia dhe pozicioni ruhen maksimumi për 90 ditë, përveç rastit kur një kohë më e gjatë kërkohet nga ligji lokal i zbatueshëm.
2.1.6 Intelligent Speed Assist (ISA)
Intelligent Speed Assist (ISA) është një funksion i detyrueshëm në disa juridiksione, i cili përdor të dhënat e tabelave rrugore për të ndihmuar makinat të ruajnë kufirin e shpejtësisë. Për të mësuar kufirin e shpejtësisë në rrugën aktuale, ISA përdor sistemin e navigimit të makinës për të përputhur të dhënat e tabelave rrugore. Sistemi i navigimit nga ana tjetër ka nevojë për pozicionin e makinës që të japë të dhëna të sakta.
Përveç kësaj, ligji i kërkon Volvo Cars të raportojë të dhëna të përmbledhura për përdorimin tuaj të automjetit, si për shembull:
- për sa kohë ose për çfarë distancash keni udhëtuar me sistemet e avancuara të makinës, të aktivizuara ose të çaktivizuara
- për sa kohë ose për çfarë distancash keni udhëtuar duke ndjekur ose duke anashkaluar kufijtë e njohur të shpejtësisë
- koha e kaluar midis aktivizimit dhe çaktivizimit të sistemeve të avancuara të makinës
Për të mbështetur ISA dhe raportimin, përpunohen të dhënat e mëposhtme:
- Numri i identifikimit të automjetit (VIN)
- Shpejtësia e automjetit
- Detajet e automjetit (modeli, viti i prodhimit)
- Informacioni i gjeneruar nga automjeti, sensorët dhe sistemet e tij (paralajmërimet, defektet, diagnostikimet, statusi dhe sjellja e sistemeve të avancuara të makinës)
- Informacioni lidhur me mënyrën e përdorimit dhe të operimit të automjetit (cilësimet, përdorimi i sistemeve të avancuara të makinës)
- Vendndodhja
Baza ligjore ku mbështetemi për përpunimin e të dhënave të përmendura më lart është përmbushja e detyrimeve tona ligjore.
Ne e ruajmë informacionin derisa ai të përmblidhet dhe të dërgohet tek autoritetet përkatëse.
2.1.7 Speech Messaging
Speech Messaging është pjesë e një sistemi më të madhe të komandave me zë, me të cilin ju mund të komandoni veçoritë e sistemit të Infotainment dhe i cili ju mundëson të krijoni dhe të dërgoni mesazhe SMS duke dhënë instruksione me të folur. Për të nisur një dialog duke përdorur komandat me zë, në fillim duhet të aktivizoni këtë funksion. Komandimi me zë qëndron i aktivizuar derisa ju ta ndaloni atë me vetëdije ose nëse nuk i përgjigjeni tre mesazheve nga sistemi.
Kur përdoret Speech Messaging përpunohen të dhënat e mëposhtme:
- Të dhënat ose komandat me zë të regjistruara
- Numri i identifikimit të automjetit (VIN) - VIN përdoret për të verifikuar nëse makina juaj ka një abonim për këtë shërbim
- Numri i telefonit
- Mesazhi me tekst - mesazhi me tekst i krijuar nga ofruesi i shërbimit palë e 3-të ruhet në renë kompjuterike dhe kthehet dhe ruhet në automjetin tuaj. Mesazhi me tekst mund të dërgohet si SMS.
Baza ligjore ku mbështetemi për përpunimin e të dhënave të përmendura më lart është zbatimi i kontratës.
Ne e ruajmë informacionin derisa të dërgohet mesazhi.
2.1.8 Indeksi i cilësisë së ajrit
Ky funksion tregon informacionin mbi cilësinë e ajrit, të tilla si ndotja dhe nivelet e polenit.
Në fillim, tregohet informacioni për cilësinë e ajrit brenda makinës.
Nëse zgjidhni që të ndani vendndodhjen e makinës, shfaqet edhe informacioni i cilësisë së ajrit jashtë makinës.
Baza ligjore ku mbështetemi për përpunimin e të dhënave të përmendura më lart është zbatimi i kontratës.
Të dhënat fshihen pasi ato të jenë paraqitur në makinë.
2.1.9 Sistemi i ofrimit të hartave
Ky shërbim do të përmirësojë funksionet në automjet të tilla si Pilot Assist dhe Adaptive Cruise Control, duke ofruar të dhëna aktuale të hartës nga vendndodhja juaj.
Për të aktivizuar sistemin e ofrimit të hartës përpunohen të dhënat e mëposhtme:
- Vendndodhja - në mënyrë që automjeti të mund të kërkojë të dhëna të sakta të hartës, do të përpunohet vendndodhja e përafërt (në një zonë jo më specifike se 0,8 km²).
Baza ligjore ku mbështetemi për përpunimin e të dhënave të përmendura më lart është zbatimi i kontratës.
Ne i ruajmë të dhënat derisa të dhënat e hartës të jenë shkarkuar.
2.2 Të dhënat që përdoren lidhur me sigurinë
2.2.1 Regjistruesi aktiv i të dhënave të sigurisë (ASDR)
Qëllimi parësor i regjistruesit aktiv të të dhënave të sigurisë (ASDR) është të regjistrojë të dhënat lidhur me aksidentet në trafik ose rrethanat e ngjashme me përplasjen. Ky informacion përpunohet nga departamenti ynë i kërkimit dhe zhvillimit për të na ndihmuar të kuptojmë më mirë rrethanat në të cilat ndodhin aksidentet në trafik, lëndimet dhe dëmet.
Duke dhënë pëlqimin tuaj, Volvo Cars mbledh dhe përpunon të dhënat e mëposhtme për qëllimet e zhvillimit të mëtejshëm dhe për ankesat aktive të lidhura me sigurinë:
- Numri i identifikimit të automjetit (VIN)
- Lloji i aktivizuar i ngjarjes së sigurisë dhe shpeshtësia e saj
- Imazhet e kamerës përpara të regjistruara gjatë 4 sekondave përpara dhe pas situatave të ngjashme me përplasjen
- Vendndodhja e automjetit në kohën e incidentit
Baza ligjore për përpunimin e të dhënave të përmendura më lart është pëlqimi i dhënë nga ju dhe ne i ruajmë ato për deri në 10 vite përpara se t'i fshijmë ose përpara se t'i kthejmë ato në anonime.
2.2.2 Regjistruesi i të dhënave të ngjarjeve (EDR)
Automjeti ruan informacionin e lidhur me sigurinë për situatat e përplasjes ose pothuajse përplasjes në një regjistrues të të dhënave të ngjarjeve (EDR) – që njihet edhe si "kutia e zezë" e makinës. Informacioni i lidhur me sigurinë përfshin të dhëna të tilla si:
- Mënyra sesi kanë funksionuar sistemet e ndryshme në automjetin tuaj
- Nëse rripat e sigurimit të shoferit dhe pasagjerit kanë qenë ose jo të vendosur/mbërthyer
- Deri ku (nëse jo fare) shoferi e ka shkelur pedalin e gazit dhe/ose të frenave
- Sa shpejt ka qenë duke udhëtuar automjeti
Periudha e regjistruar është zakonisht deri në 30 sekonda dhe EDR nuk regjistron ndonjë të dhënë gjatë kushteve normale të ngarjes.
Baza ligjore ku mbështetemi për përpunimin e të dhënave të përmendura më lart është përmbushja e detyrimeve tona ligjore.
Të dhënat do të ruhen sipas kërkesave ligjore, për aq kohë derisa ato të mbishkruhen nga ngjarje të reja.
2.2.3 Thirrja e emergjencës (eCall)
Thirrja e emergjencës (eCall) aktivizon automatikisht një thirrje emergjence dhe dërgimin e të dhënave në rast të disa llojeve të aksidenteve, që zbulohen nga aktivizimi i një apo më shumë sensorëve brenda automjetit. Kjo nënkupton që një eCall bëhet automatikisht nga makina, edhe nëse të gjithë udhëtarët janë të pavetëdijshëm dhe të dhënat e përmendura më poshtë transmetohen automatikisht në qendrën telefonike. eCall mund të aktivizohet gjithashtu manualisht duke shtypur dhe duke mbajtur shtypur butonin SOS për të paktën 2 sekonda.
Kur bëhet një eCall, përpunohen të dhënat e mëposhtme:
- Numri i identifikimit të automjetit (VIN)
- Specifikimi i motorit ose njësisë së fuqisë së automjetit
- Specifikimi i modelit të automjetit
- Koha e incidentit
- Vendi i incidentit
- Drejtimi i udhëtimit të automjetit
- Statusi i automjetit
Në mënyrë të paracaktuar dhe aty ku ofrohet, eCall kanalizohet te një ofrues shërbimi palë e tretë (ky quhet shërbim i palës së tretë eCall ose TPS eCall); ky ofrues shërbimi ndryshon sipas rajonit dhe mund të na kontaktoni neve për më shumë informacion se cilët ofrues përdoren në rajonin tuaj. Ju mund të zgjidhni në çdo kohë që thirrja të drejtohet në shërbimin publik të emergjencave, duke modifikuar si duhet konfigurimet.
Të dhënat mblidhen vetëm kur bëhet eCall dhe entet e vetme që kanë qasje në këto të dhëna janë Volvo Cars dhe pala e tretë që ofron shërbimin (ose vetë shërbimi i emergjencës, nëse është zgjedhur). Megjithatë, nëse është e nevojshme ata mund t'ia përcjellin këto të dhëna shërbimeve të specializuara të emergjencës (për shembull ambulancës).
Baza ligjore ku mbështetemi për përpunimin e të dhënave të përmendura më lart është përmbushja e detyrimeve tona ligjore.
Ne i ruajmë të dhënat për 200 ditë dhe përpunimi është i kufizuar vetëm për rrethanat e emergjencave të referuara më lart.
2.2.4 Shërbimet e qendrës telefonike
Me shërbimet e qendrës telefonike, ne ju ofrojmë mundësinë të lidheni me qendrën tonë telefonike nga makina duke shtypur butonin e ndihmës/"on call", përmes një thirrjeje nga brenda aplikacionit ose duke telefonuar direkt qendrën telefonike. Shërbimet që ofrohen si pjesë e shërbimeve të qendrës telefonike përshkruhen më poshtë:
Asistenca në rrugë (RSA)
RSA përfshin mbështetjen për ju kur përballeni me një defekt teknik në makinën tuaj, si për shembull shpimi i një gome ose një defekt në motor. Në disa raste, agjenti në qendrën telefonike është në gjendje t'ju ofrojë këshilla gjatë telefonatës, sesi të korrigjoni problemin. Në raste të tjera, riparimi mund të kryhet në rrugë (i quajtur "riparim në vend") ose, kur kjo nuk është e mundur, makina juaj dërgohet në një ofiçinë për t'u riparuar. Agjenti vlerëson gjatë telefonatës se cila përgjigje është e përshtatshme. Kur nevojitet rikuperimi në rrugë (riparim në vend ose karroatrec), mjetet e asistencës mund të ofrohen nga një palë e tretë, si për shembull një kompani karroatreci dhe riparimi, e cila përpunon të dhënat përkatëse.
Gjurmimi i automjetit të vjedhur (SVT)
SVT është një mënyrë për të lokalizuar automjetin nëse vidhet. Një automjet mund të raportohet i vjedhur nga:
- vetë automjeti. Kjo ndodh kur automjeti dikton një aktivizim të alarmit të makinës, gjë e cila shkakton një njoftim të njohur si "njoftim vjedhjeje", që i dërgohet çdo shoferi me aplikacionin Volvo Cars të lidhur me automjetin, si qendrës telefonike.
- pronari i automjetit, që bën një telefonatë në qendrën telefonike.
- agjencitë ligjzbatuese (policia). Sërish, bëhet një telefonatë direkt në qendrën telefonike.
Që të niset procesi SVT, duhet depozituar një raport zyrtar në polici dhe numri i çështjes në raport duhet dërguar në qendrën telefonike.
Imobilizimi/mobilizimi i makinës nga distanca (RVI/RVM)
RVI/RVM mund të përdoret për aktivizuar ose çaktivizuar imobilizuesin në makinë. Nëse imobilizuesi është i aktivizuar, makina nuk mund të ndizet derisa imobilizuesi të jetë çaktivizuar. Makina mund të mobilizohet nga distanca. Ky shërbim iniciohet nga agjenti i qendrës telefonike.
Për t'ju ofruar shërbimet e përshkruara më lart, ne mbledhim automatikisht të dhënat e mëposhtme kur kontaktoni qendrën telefonike përmes butonit të ndihmës/"on call" në makinë ose përmes aplikacionit Volvo Car:
- Targa
- Numri i identifikimit të automjetit (VIN)
- Specifikimi i automjetit
- Statusi i automjetit
- Ora dhe vendi i kërkesës
- Vendndodhja në kohën e thirrjes
- Drejtimi i udhëtimit të automjetit
Në varësi të natyrës dhe objektit të kërkesës, për secilin nga shërbimet e mësipërme të qendrave telefonike, ne mund të përpunojmë informacione shtesë të nevojshme për ofrimin e ndihmës së kërkuar, për shembull:
- të dhënat e kontaktit (adresa e shtëpisë, adresa a emailit, numri i telefonit)
- detajet e sigurimit (numri i policës dhe kërkesës)
- të dhëna lidhur me transaksionin
- dëmi i shkaktuar dhe informacioni rreth ofiçinës që po kryen riparimin
Baza ligjore ku mbështetemi për përpunimin e të dhënave të përmendura më lart është zbatimi i kontratës.
Ne i ruajmë të dhënat për 200 ditë.
2.2.5 Sistemi i zbulimit të ndërhyrjes (IDS)
Qëllimi i sistemit të zbulimit të ndërhyrjes (IDS) është të zbulojë dhe të parandalojë anomalitë dhe shkeljet që mund të jenë kërcënime të mundshme të sigurisë kibernetike për sistemet e automjetit. Kjo do të thotë që ne monitorojmë sesi sillen softueri dhe aplikacionet, për t'u siguruar që ato nuk po shkelin ato çfarë janë lejuar të bëjnë. IDS monitoron sistemin në kohë reale dhe raportojnë shkeljet te Volvo Cars.
Ne përpunojmë të dhënat e mëposhtme:
- Informacionet lidhur me automjetin: modeli, viti i prodhimit, numri i identifikimit të automjetit (VIN), informacionet e harduerit dhe softuerit.
- Informacioni i krijuar nga automjeti, sensorët dhe sistemet e tij: defektet, diagnostikimet, informacioni i lidhjes dhe rrjetit, certifikimet dhe të dhënat e autorizimit, evidencat e sigurisë, kalibrimet, vulat kohore, statusi i sistemeve dhe funksioneve në bord, sjellja e sistemeve dhe funksioneve në bord, si dhe rezultati i sistemeve dhe funksioneve në bord.
- Informacioni lidhur me mënyrën e përdorimit dhe operimit të automjetit: konfigurimet, cilësimet, lidhjet e pajisjeve, vulat kohore, prania e pasagjerëve, përdorimi i shërbimeve nga distanca, përdorimi i funksioneve të makinës, të tilla si pedali i gazit, frenat, timoni, rripat e sigurimit dhe dyert.
- Të dhënat e vendndodhjes: Saktësi e ulët, saktësi mbi 600 m.
Baza ligjore ku mbështetemi për përpunimin e të dhënave të përmendura më lart është përmbushja e detyrimeve tona ligjore.
Ne i ruajmë informacionet e kthyera në anonime për të gjithë jetëgjatësinë e automjetit. Në rast se diktohet ndonjë pikë e dobët, ne i ruajmë të dhënat për 1 vit pas përfundimit të hetimeve.
2.2.6 Garantimi i baterive të sigurta
Ne duhet të sigurohemi që makinat tona me grup fuqie hibrid ose plotësisht elektrik janë të sigurta, për të mbrojtur drejtuesit e makinave tona, familjet e tyre dhe publikun e gjerë nga rreziku dhe shqetësimi i panevojshëm. Për ta garantuar këtë, ne mbledhim dhe përdorim informacionet lidhur me bateritë, për të mundësuar zbulimin e hershëm të problemeve të mundshme dhe për të identifikuar llojet e reja të defekteve të mundshme. Nëse ne mendojmë se nevojitet, ne ju kontaktojmë dhe ju informojmë për shqetësimet e mundshme.
Të dhënat që ne mbledhim dhe përdorim janë:
- Informacionet lidhur me automjetin: modeli, viti i prodhimit, numri i identifikimit të automjetit (VIN), informacionet e harduerit dhe softuerit.
- Informacionet lidhur me njësinë e fuqisë dhe baterinë e automjetit: informacionet e harduerit dhe softuerit, tensionet e blloqeve, gjendja e karikimit, informacioni i karikimit, konfigurimet, kalibrimet, temperatura, alarmet, paralajmërimet, defektet, diagnostikimet, vulat e kohës, gjendja dhe statusi i përgjithshëm.
- Informacioni i krijuar nga automjeti: Odometri.
Baza ligjore ku mbështetemi për përpunimin e të dhënave të përmendura më lart janë interesat tona legjitime të sipërpërmendura dhe përmbushja e detyrimeve tona ligjore, si për shembull tërheqjet nga tregu të lidhura me sigurinë.
Ne i ruajmë informacionet e mësipërme për të gjithë jetëgjatësinë e automjetit.
2.3 Të dhënat e përdorura lidhur me mirëmbajtjen dhe riparimet
2.3.1 Planifikimi i servisit
Planifikimi i servisit ju ndihmon ta mbani makinën tuaj në gjendje të mirë dhe vëzhgon gjendjen e makinës.
Nëse zbatohet në shtetin tuaj, ne ju dërgojmë komunikime të lidhura me shërbimet.
Kur automjeti juaj ka lidhje me internetin, planifikimi i servisit funksionon duke dërguar vazhdimisht të dhëna diagnostikimi te Volvo Cars, shitësit me pakicë dhe ofiçinat. Ofrimi i të dhënave diagnostikuese nga distanca, i mundëson ofiçinës të përgatitet më mirë për vizitën tuaj të ardhshme. Përveç kësaj, të dhënat ndahen me kompanitë tona vendase të shitjes dhe shitësit me pakicë për të menaxhuar rezervimet dhe dërgesat e pjesëve, nëse nevojitet.
Planifikimi i servisit na ndihmon edhe neve të programojmë prodhimin dhe dërgimin e pjesëve të këmbimit, gjë e cila është një komponent i rëndësishëm në objektivat tona të qëndrueshmërisë, duke optimizuar shfrytëzimin e përmbajtjes, logjistikës dhe të ofiçinës.
Për t'ju ofruar planifikimin e servisit, mblidhen të dhënat e mëposhtme:
- Informacionet lidhur me automjetin (modeli, viti i prodhimit, numri i identifikimit të automjetit (VIN), informacionet e harduerit dhe softuerit)
- Informacioni i gjeneruar nga automjeti, sensorët dhe sistemet e tij (odometri, treguesit e servisit, alarmet, paralajmërimet, dritat, defektet, diagnostikimet, temperatura, vulat e kohës, gjendja, statusi dhe sjellja e sistemeve dhe funksioneve në bord)
Baza ligjore ku mbështetemi për përpunimin e të dhënave të përmendura më lart është zbatimi i kontratës. Ju mund ta aktivizoni dhe ta çaktivizoni shërbimin në çdo kohë.
Ne i ruajmë informacionet për 3 vite, përveç informacionit të baterisë së tensionit të lartë të automjetit, i cili ruhet për 10 vite.
2.3.2 Leximi diagnostikues në ofiçina
Nëse në automjetin tuaj kryhet servis apo riparime në një qendër servisi, ofiçinë apo partner, ne mbledhim dhe përdorim informacionet për gjurmimin e defektit, për të menaxhuar detyrimet tona si prodhues i produktit, për qëllimet e kërkimit dhe zhvillimit të produkteve, të tilla si monitorimi dhe përmirësimi i cilësisë së makinave tona, i veçorive të tyre të sigurisë dhe funksioneve të tjera.
Të dhënat që ne mbledhim dhe përdorim janë:
- Informacionet lidhur me automjetin (modeli, viti i prodhimit, numri i identifikimit të automjetit (VIN), informacionet e harduerit dhe softuerit)
- Informacioni i gjeneruar nga automjeti, sensorët dhe sistemet e tij (odometri, treguesit e servisit, alarmet, paralajmërimet, dritat, defektet, diagnostikimet, informacionet e lidhjes dhe rrjetit, certifikimet dhe të dhënat e autorizimit, kalibrimet, temperatura, kushtet e motit dhe të rrugës, konsumi i energjisë dhe karburantit, vulat e kohës, gjendja, statusi dhe sjellja e sistemeve dhe funksioneve në bord)
- Informacioni lidhur me mënyrën e përdorimit dhe të operimit të automjetit (konfigurimet, cilësimet, lidhjet e pajisjes, mënyra e përdorimit (karikim, parkim, ecje), informacioni i karikimit, vulat e kohës, shpejtësia, numri i pasagjerëve, ndërveprimet dhe përdorimi i njësisë kryesore të informacionit (ekrani në makinë), përdorimi i shërbimeve në distancë, përdorimi i funksioneve të makinës të tilla si gazi, frenat, sistemi i drejtimit, rripat e sigurimit dhe dyert)
Baza ligjore ku mbështetemi për përpunimin e të dhënave të përmendura më lart janë interesat tona legjitime dhe përmbushja e detyrimeve tona ligjore, si për shembull tërheqjet nga tregu të lidhura me sigurinë.
Ne i ruajmë informacionet e mësipërme për të gjithë jetëgjatësinë e automjetit.
2.3.3 Raportimi i gabimeve
Raportimi i gabimeve është një mjet që mund të aktivizohet nga serviset, për të na mundësuar që të mbledhim informacione për gabimet e softuerit. Ky mjet përdoret për të identifikuar dhe hetuar ndikimin e problemeve dhe na mundëson të zgjidhim problemet e lidhura me softuerin, si dhe për të mbajtur në gjendje të mirë softuerin tonë. Kur aktivizohet raportimi i gabimeve, ne mbledhim dhe përpunojmë të dhënat e mëposhtme nga automjeti juaj:
- Informacioni lidhur me automjetin (kilometrazhi, konsumi i karburantit, konfigurimi i automjetit dhe detajet, numri i identifikimit të automjetit (VIN), adresa IP dhe versioni i softuerit)
- Informacioni i gjeneruar nga njësia kryesore e informacionit, njësia kryesore e afishimit, moduli telematik dhe i antenës së lidhjes dhe sinjalet e lidhura me to (GPS, DID (identifikuesi i të dhënave), DTC (kodi i diagnostikimit të problemit), diagnostikimi i rrjetit të automjetit, diagnostikimi i Android Automotive, diagnostikimi i ndezjes dhe raportet dhe skedarët e evidencave të synuara për zhvilluesit)
- Informacioni rreth ndërveprimit midis drejtuesit dhe automjetit (shpejtësia, cilësimet e Infotainment, destinacionet e navigimit, numëratori telefonik, cilësimet e radios, cilësimet e aplikacioneve të palëve të treta, regjistri i asistencës në rrugë)
- Informacioni i lidhur me drejtuesin (llogaritë e emailit, numri i telefonit, Volvo ID)
Baza ligjore ku mbështetemi për përpunimin e të dhënave të përmendura më lart është interesi ynë legjitim.
Ne i ruajmë të dhënat derisa problemi me automjetin tuaj të jetë zgjidhur ose për 90 ditë, cilado ndodh më vonë.
2.3.4 Analiza e thelluar e të dhënave të automjetit
Për të hetuar plotësisht problemet me automjetin tuaj që sillni në vëmendjen tonë, neve na nevojitet të përdorim të dhënat e mëposhtme nga automjeti, së bashku me disa të dhëna bazë të klientit, si emri dhe detajet e kontaktit:
- të dhënat e regjistruara nga regjistruesi i të dhënave të ngjarjeve dhe sistemet e tjera lidhur me sistemin e sigurisë së automjetit (shpejtësia, pozicioni GPS, këndi i timonit, fuqia e frenave, aktivizimi dhe përdorimi i sistemeve të sigurisë etj.)
- të dhënat lidhur me ambientin përreth (të tilla si temperatura, rruga e rrëshqitshme) të regjistruara nga sensorët e tjerë të automjetit ose të marra nga ofruesit e këtij informacioni
- të dhënat nga njësitë e kontrollit elektronik të automjetit, nga sistemi telematik dhe moduli i antenës së lidhjes dhe njësia kryesore e informacionit, si dhe sinjalet e lidhura me to
- statusi i automjetit (kilometrazhi, konsumi i karburantit, odometri dhe të dhënat e tjera që tregohen në kruskot)
- i gjithë ndërveprimi midis drejtuesit dhe makinës, si për shembull ndryshimet e cilësimeve të ndryshme, emrat e llogarive të tilla si Volvo ID dhe Google ID dhe të dhënat lidhur me përdorimin e pajisjeve të lidhura me Bluetooth
- Numri i identifikimit të automjetit (VIN)
Të dhënat përdoren për të identifikuar problemet e mundshme me automjetin, për të menaxhuar rastin e një garancie të mundshme dhe problemet e mundshme me sigurinë e produktit. Nëse këto të dhëna nuk mblidhen, Volvo Cars nuk do të jetë në gjendje të hetojë problemet.
Baza ligjore ku mbështetemi për përpunimin e të dhënave të përmendura më lart është interesi ynë legjitim.
Ne i ruajmë të dhënat tuaja derisa të jetë zgjidhur problemi me makinën tuaj.
2.4 Të dhënat e përdorura për qëllimet e kërkimit dhe zhvillimit
2.4.1 Kërkimi dhe zhvillimi i aksidenteve në trafik
Kur ndodh një aksident në trafik që përfshin ndonjë nga makinat tona, ne hetojmë çfarë ka ndodhur me qëllimin për të përmirësuar sigurinë e makinave tona dhe mjedisin e qarkullimit në përgjithësi. Nëse do të ishte në dobi të kërkimeve tona, ne ju dërgojmë një pyetësor për të marrë informacione shtesë rreth aksidentit.
Gjatë kërkimeve, përpunohen të dhënat e mëposhtme:
- Detajet e kontaktit
- Informacionet lidhur me automjetin (modeli, viti i prodhimit, numri i identifikimit të automjetit (VIN), targa, hardueri, informacioni i softuerit)
- Informacioni i gjeneruar nga automjeti, sensorët dhe sistemet e tij (objektet në afërsi, të dhënat e motorit, të dhënat e sinjalit të bllokuar, odometri, kushtet e motit dhe të rrugës, temperatura, treguesit e servisit, alarmet, paralajmërimet, dritat, defektet, diagnostikimet, informacionet e lidhjes dhe rrjetit, certifikimet dhe të dhënat e autorizimit, kalibrimet, konsumi i energjisë dhe karburantit, vulat e kohës, gjendja e automjetit, statusi dhe sjellja e sistemeve dhe funksioneve në bord)
- Informacioni lidhur me mënyrën e përdorimit dhe të operimit të automjetit (konfigurimet, cilësimet, lidhjet e pajisjes, mënyra e përdorimit (karikim, parkim, ecje), informacioni i karikimit, vulat e kohës, shpejtësia, numri i pasagjerëve, ndërveprimet dhe përdorimi i njësisë kryesore të informacionit (ekrani në makinë), përdorimi i shërbimeve në distancë, përdorimi i funksioneve të makinës të tilla si gazi, frenat, sistemi i drejtimit, rripat e sigurimit dhe dyert dhe aktivizimi i hapjes së jastëkëve të ajrit)
- Të dhënat e vendndodhjes
- Të dhënat e kamerave: Imazhet e kamerës përpara të regjistruara gjatë 4 sekondave përpara dhe pas aksidentit
Baza ligjore ku mbështetemi për përpunimin e të dhënave të përmendura më lart është interesi ynë legjitim.
Ne i ruajmë të dhënat tuaja për 10 vite.
2.4.2 Analiza e të dhënave të automjetit
Ne i përpunojmë të dhënat e automjetit (të renditura më poshtë) për të mbledhur informacion statistikor për automjetet tona dhe mënyrën sesi përdoren ato. Ne e përdorim këtë informacion për të qëllimet e kërkimit dhe zhvillimit të produkteve, në veçanti për të përmirësuar dhe për të monitoruar cilësinë e automjeteve dhe veçoritë e tyre të sigurisë. Kjo shërben gjithashtu për të menaxhuar angazhimet në garancinë e Volvo Cars.
Kategoritë e të dhënave që përdoren:
- Numri i identifikimit të automjetit (VIN)
- Identifikuesit e versionit të harduerit dhe softuerit të automjetit
- Kodet diagnostikuese të problemeve (DTC)
Volvo Cars mbledh gjithashtu informacionin e mëposhtëm në baterinë e tensionit të lartë të automjetit (sipas rastit):
- ID e baterisë së tensionit të lartë, kapaciteti dhe statusi i gjendjes
- Informacioni i tregut të automjetit
- Informacioni i stacionit të karikimit (p.sh. statusi i disponueshmërisë, lloji i energjisë, ID e kolonës)
- Të dhënat e diagnostikimit gjatë karikimit (p.sh. kohëzgjatja, gjendja e karikimit, luhatja e rrymës)
Baza ligjore ku mbështetemi për përpunimin e të dhënave të përmendura më lart është pëlqimi i dhënë nga ju.
Të dhënat si numri i identifikimit të automjetit (VIN), identifikuesit e versionit të harduerit dhe softuerit të automjetit dhe kodet diagnostikuese të problemeve (DTC) ruhen për 2 vite, kurse informacioni për baterinë e tensionit të lartë të automjetit ruhet sa jetëgjatësia e baterisë.
Në rastin e automjeteve hibride ose elektrike, Volvo Cars dhe Polestar Performance AB (një kompani suedeze me zyrë qendrore në Gothenburg, Assar Gabrielssons Väg 9, SE-405 31, Gothenburg, Sweden, në vijim referuar si "Polestar") shkëmbejnë të dhënat e analizës nga automjetet e tyre përkatëse. Shkëmbimi i të dhënave të analizave ndërmjet Volvo Cars dhe Polestar, siç tregohet më lart, është i një natyre mirëfilli teknike dhe nuk përfshin të dhënat aktuale të klientëve. Të dhënat e analizave të mbledhura përmes platformave të Volvo Cars dhe të Polestar shkëmbehen midis këtyre dy kompanive për qëllimet e përmirësimit dhe të monitorimit të cilësisë së automjetit, të performancës së veçorive elektrike dhe hibride dhe të veçorive të sigurisë.
Të ashtuquajtur kontrollues të përbashkët sipas GDPR-së, Volvo Cars dhe Polestar janë bashkërisht përgjegjës për këtë përpunim të të dhënave të analizave. Volvo Cars dhe Polestar kanë rënë dakord me njëra-tjetrën që Volvo Cars është përgjegjëse për t'u dhënë informacion klientëve të saj dhe që të drejtat përkatëse të akorduara nga GDPR do të ushtrohen nga klientët e Volvo në lidhje me Volvo Cars.
2.4.3 Analiza e automjeteve dhe përmirësimet
Nëse jepni pëlqimin tuaj duke aktivizuar opsionin Analiza e automjetit dhe përmirësimet, ne mbledhim dhe përdorim të dhënat (e renditura më poshtë), për të marrë informacion rreth automjetit tuaj dhe përdorimit të tij. Ne e përdorim këtë informacion për qëllimet e gjurmimit të defekteve, të kërkimit dhe zhvillimit të produkteve, për shembull për të monitoruar dhe për të përmirësuar cilësinë e automjeteve, veçoritë e tyre të sigurisë dhe funksione të tjera. Nëse ne mendojmë se nevojitet, ne ju kontaktojmë dhe ju informojmë për problemet ose defektet e mundshme.
Të dhënat që ne mbledhim dhe përdorim:
- Informacionet lidhur me automjetin: modeli, viti i prodhimit, numri i identifikimit të automjetit (VIN), informacionet e harduerit dhe softuerit.
- Informacioni i gjeneruar nga automjeti, sensorët dhe sistemet e tij: odometri, treguesit e servisit, alarmet, paralajmërimet, dritat, defektet, diagnostikimet, informacionet e lidhjes dhe rrjetit, certifikimet dhe të dhënat e autorizimit, regjistrat e sigurisë, kalibrimet, temperatura, kushtet e motit dhe të rrugës, konsumi i energjisë dhe karburantit, vulat e kohës, gjendja, statusi i sistemeve dhe funksioneve në bord, sjellja e tyre dhe rezultat i sistemeve dhe funksioneve në bord.
- Informacioni lidhur me mënyrën e përdorimit dhe të operimit të automjetit: konfigurimet, cilësimet, lidhjet e pajisjes, rimorkio e lidhur, mënyra e përdorimit (karikim, parkim, ecje), informacioni i karikimit, vulat e kohës, shpejtësia, numri i pasagjerëve, ndërveprimet dhe përdorimi i njësisë kryesore Infotainment (ekrani në makinë), përdorimi i shërbimeve në distancë, përdorimi i funksioneve të makinës të tilla si gazi, frenat, sistemi i drejtimit, rripat e sigurimit dhe dyert.
- Të dhënat e vendndodhjes: Vendndodhja mblidhet në rastet e mëposhtme.Vendndodhja mblidhet gjithashtu në vazhdimësi nga funksionet e sigurisë, nga sistemet e pavarura të drejtimit dhe sistemet e avancuara të ndihmës në drejtim.
- incidente (aksident i shmangur) dhe aksidente;
- nëse aktivizohet funksioni eCall; dhe
- në rastet e problemeve të lidhjes.
- Të dhënat e kamerës: regjistrohen imazhet e kamerës të drejtuara për jashtë
- lidhur me incidentet dhe aksidentet; dhe
- në vazhdimësi nga funksionet e sigurisë, nga sistemet e pavarura të drejtimit dhe sistemet e avancuara të ndihmës në drejtim.
Baza ligjore për mbledhjen dhe përdorimin e të dhënave të përmendura më lart është pëlqimi i dhënë nga ju.
Ne i ruajmë të dhënat për pesë vite, përveç informacionit të baterisë së tensionit të lartë të automjetit, i cili ruhet për jetëgjatësinë e baterisë. Në krye të pesë viteve, ne i fshijmë të dhënat ose, kur e shohim të nevojshme t'i mbajmë të dhënat, sigurojmë që ato të jenë plotësisht anonime.
2.5 Raportimi i emetimeve
Nëse keni një makinë me motor me djegie të brendshme, ne mbledhim të dhënat nga automjeti juaj që ato të raportohen në përputhje me ligjin e zbatueshëm.
Të dhënat që mblidhen janë:
- Numri i identifikimit të automjetit (VIN)
- Të dhënat e lidhura me emetimet: karburanti total i konsumuar (gjatë gjithë kohës), distanca totale e përshkuar (gjatë gjithë kohës), energjia totale e rrjetit e ushqyer në bateri (gjatë gjithë kohës) – me disa ndarje të nevojshme sipas ligjit të zbatueshëm
Baza ligjore ku mbështetemi për përpunimin e të dhënave të përmendura më lart është përmbushja e detyrimeve tona ligjore.
Informacionet më lart ruhen derisa këto të dhëna të jenë raportuar.
2.6 Kërkesat e agjencive ligjzbatuese
Mund të nevojitet që të dhënat personale të ndahen ose mund të ndahen me autoritetet ligjzbatuese (p.sh. policia, gjykata), për të përmbushur një detyrim ligjor ose interesin tonë legjitim për ofrimin e të dhënave kur dyshohet për një krim, apo kur është e nevojshme për përcaktimin, ushtrimin apo mbrojtjen ndaj padive ligjore.
Ne u japim agjencive ligjzbatuese sasinë minimale të nevojshme të të dhënave personale. Shembuj të të dhënave që ne mund të japim janë: numri i serisë i pjesës së makinës i lidhur me një numër VIN ose numër IMEI.
3. Ndarja e të dhënave tuaja personale
Ne i ndajmë të dhënat me organizata të ndryshme për operuar biznesin tonë, për të mbajtur marrëdhënien me ju dhe për t'ju ofruar produkte dhe shërbime. Këto situata jepen të përshkruara më poshtë.
Kur ne u referohemi këtyre organizatave si "furnizuesit", "përpunuesit" ose "nën-përpunuesit" tanë, secila prej këtyre organizatave e ka detyrim kontraktual kufizimin e përdorimit të të dhënave personale për ndonjë qëllim tjetër përveçse për ofrimin e shërbimeve për ne ose në emrin tonë, sipas udhëzimeve tona. Në çdo rast, ne ndajmë vetëm të dhënat personale, duke përfshirë të dhënat telematike, që i gjykojmë të nevojshme për të arritur qëllimin përkatës.
Kompanitë e tjera të grupit brenda Volvo Cars dhe nën-përpunuesit e tyre
- Të dhënat personale transferohen në kompanitë e tjera të grupit për kujdesin ndaj klientit, për të ofruar produktet dhe shërbimet tona, si dhe për sigurimin e sistemeve IT për mbështetjen e biznesit dhe ruajtjen e të dhënave.
Furnizuesit e IT dhe nën-përpunuesit të tyre
- Të dhënat personale transferohen te furnizuesit e shërbimeve IT që furnizojnë sistemet e përgjithshme të mbështetjes së biznesit, të tillë si ofruesit e softuerit dhe të ruajtjes së të dhënave.
Autoritet ligjzbatuese (p.sh. policia, gjykata)
- Mund të nevojitet që të dhënat personale të ndahen ose mund të ndahen me autoritetet ligjzbatuese (p.sh. policia, gjykata), për të përmbushur një detyrim ligjor ose interesin tonë legjitim për ofrimin e të dhënave kur dyshohet për një krim, apo kur është e nevojshme për përcaktimin, ushtrimin apo mbrojtjen ndaj padive ligjore.
Ofruesit e tjerë të shërbimeve (si për shembull operatorët e rrjeteve celulare, ofruesit e lidhjes dhe operatorët e karikimit)
- Ne mund të ndajmë informacione nga automjeti dhe informacionin e abonimit për të aktivizuar shërbimet, për qëllimet e gjurmimit të defekteve dhe të përmirësimit të shërbimeve.
Çdo palë e miratuar nga ju
- Për shembull, ju mund të na kërkoni të ndajmë të dhënat e automjetit me një palë të tretë, si për shembull një kompani sigurimi, për të përgatitur një vlerë sigurimi për ju.
Pronarët e automjeteve palë e 3të
- Për shembull, kompanitë e menaxhimit të flotave ose të makinave me qira mund të përpunojnë të dhënat e gjeneruara nga automjeti dhe nga mënyra e drejtimit, duke përfshirë të dhënat e vendndodhjes, për automjetet që ato zotërojnë apo menaxhojnë.
Ofruesit me pakicë, riparuesit, ofiçinat
- Të dhënat personale transferohen për qëllimin e ofrimit të shërbimeve, gjurmimit të defekteve, mirëmbajtjes dhe riparimit.
4. Të drejtat tuaja dhe kontrollet
Ju keni të drejta ligjore specifike në lidhje me të dhënat personale që ne përpunojmë për ju. Të drejtat mund të ndryshojnë në varësi të juridiksionit ku ndodheni dhe nga natyra e përpunimit.
Në përgjithësi, të drejtat tuaja lidhen me mundësinë për:
- tërheqjen e pëlqimit të dhënë
- kundërshtimin e përpunimit të të dhënave tuaja
- kërkesën për një kopje të të dhënave që mbajmë për ju (e ashtuquajtura e drejta për akses)
- kërkesën për të dhënat që transferohen te një ent tjetër (e ashtuquajtura e drejta e mbartjes së të dhënave)
- kërkesën për korrigjimin ose kufizimin e të dhënave
- kërkesën për fshirjen e të dhënave (e ashtuquajtura e drejta për t'u harruar)
Siç përmendet, këto të drejta nuk janë absolute dhe në disa raste ligji për mbrojtjen e të dhënave kufizon aplikimin e tyre. Nëse është rasti që duhet të na bëni një kërkesë neve, ne gjithmonë ju shpjegojmë përse nuk mund ta përmbushim kërkesën tuaj.
Nëse dëshironi të dërgoni një kërkesë për të drejtat, mund të na kontaktoni duke plotësuar këtë formular. Ju lutemi që të përdorni këtë formular, sepse ai specifikon informacionin që na nevojitet për të verifikuar identitetin tuaj dhe për ta përpunuar kërkesën me efektivitet. Megjithatë, nëse nuk preferoni të përdorni formularin, jeni gjithmonë të mirëpritur të na kontaktoni dhe ta dërgoni kërkesën tuaj duke përdorur të dhënat e kontaktit në seksionin tjetër.
Ju keni gjithashtu të drejtë të paraqitni një ankesë pranë autoritetit lokal për mbrojtjen e të dhënave nëse keni shqetësime sesi i përdorim të dhënat tuaja personale. Sidoqoftë, do ta vlerësonim nëse na kontaktoni dhe i ngrini shqetësimet tuaja në fillim direkt tek ne, duke na mundësuar të provojmë t'i zgjidhim shqetësimet së bashku. Të dhënat tona të kontaktit i gjeni më poshtë.
5. Të dhënat e kontaktit
Nëse keni pyetje rreth mënyrës sesi i përdorim të dhënat tuaja personale, mund të na kontaktoni në dataprotection@volvocars.com, ose Personin e Autorizuar të Volvo Car Corporation për Mbrojtjen e të Dhënave si më poshtë:
Adresa postare: Volvo Car Corporation, Drejtuar: The Data Protection Officer, dep 50099, VAK, 405 31 Gothenburg, Sweden.
Email: globdpo@volvocars.com
6. Përditësimet e këtij njoftimi
Ne i zhvillojmë në vazhdimësi shërbimet dhe produktet tona dhe si rezultat ne shqyrtojmë dhe përditësojmë edhe këtë njoftim për privatësinë. Për këtë arsye, ne ju nxisim që ta vizitoni rregullisht këtë njoftim për privatësinë. Data në krye të këtij njoftimi për privatësinë ju tregon se kur ai është përditësuar për herë të fundit. Ne do t'i trajtojmë të dhënat tuaja personale në një mënyrë konsistente me njoftimin për privatësinë sipas të cilit ato janë mbledhur, përveç rastit kur kemi pëlqimin tuaj që t'i trajtojmë ato ndryshe.