Në ditën e tij të parë si drejtor ekzekutiv i Volvo Cars, Jim Rowan ndan mendimet e tij mbi rolin e tij të ri, kulturën e kompanisë dhe të ardhmen e industrisë së automobilave.
Jim Rowan i bashkohet Volvo Cars në pozicionin e drejtorit ekzekutiv.
Përshëndetje të gjithëve,
Sot fillon një kapitull i ri në jetën time. Dhe është një kapitull për të cilin jam tepër i emocionuar. Mundësia për t'iu bashkuar Volvo në këtë moment, në mes të një transformimi të madh, është shumë frymëzuese.
Pra, kur njerëzit më pyesin, "Pse iu bashkove Volvo?", kjo është përgjigja ime. Jam vërtet i frymëzuar nga mundësia. Të jem pjesë e rrugëtimit tonë të përbashkët vitet e ardhshme, të punoj me të gjithë ju dhe të krijojmë një kompani lider në lëvizshmërinë e gjeneratës së ardhshme dhe ta çojmë kompaninë në nivele të reja është diçka që me të vërtetë po e pres me padurim.
Unë jam adhurues i inxhinierisë dhe teknologjisë, nuk jam një tip tradicional i automobilave. Mendoj se kjo është diçka e mirë. Volvo ka plot njerëz që e njohin shumë mirë industrinë e automobilave dhe kanë të gjitha aftësitë përkatëse. Ju nuk keni nevojë për mua për këtë!
Ajo që shpresoj të sjell janë njohuritë dhe përvoja nga industria e produkteve të konsumit të teknologjisë së lartë, ndërsa kalojmë drejt lëvizshmërisë së gjeneratës tjetër. Nëse e kombinojmë këtë me talentin dhe njohuritë që kemi krijuar brenda Volvo gjatë 95 viteve të fundit dhe i bashkojmë në mënyrën e duhur, mendoj se do të jetë një kombinim jashtëzakonisht i fuqishëm.
Ne do të ruajmë gjithmonë historinë dhe origjinën tonë. Njerëzit i besojnë markës Volvo dhe e dinë se ajo përfaqëson autenticitetin dhe ndershmërinë. Ajo nuk mund të kopjohet nga askush. Por diskursi dhe pritshmëritë për automobilat e gjeneratës së ardhshme po ndryshojnë. Më parë bëhej fjalë vetëm për kuaj-fuqi dhe cilindra. Tani, po i jepet më tepër rëndësi teknologjisë së integruar që i bën gjërat më të lehta dhe më të përshtatshme për klientët tanë. Diskursi është bërë shumë më gjithëpërfshirës dhe progresiv, gjë që është diçka e mirë.
Ne do të ruajmë gjithmonë historinë dhe origjinën tonë. Njerëzit i besojnë markës Volvo dhe e dinë se ajo përfaqëson autenticitetin dhe ndershmërinë. Ajo nuk mund të kopjohet nga askush. Por diskursi dhe pritshmëritë për automobilat e gjeneratës së ardhshme po ndryshojnë.
Qëllimi ynë e thotë shumë mirë: ne duam t'u ofrojmë njerëzve lirinë për të lëvizur në mënyrë të sigurt, të qëndrueshme dhe personale. Angazhimi drejt lëvizshmërisë pa karbon dhe të qenit përgjegjës për atë tranzicion është jashtëzakonisht motivuese. Kjo është gjëja e duhur për Volvo, por çka është më e rëndësishme, është gjëja e duhur edhe për shoqërinë.
Ky është çasti ynë për të demonstruar se ne e marrim sigurinë njerëzore po aq seriozisht sa edhe sigurinë e planetit. Dy aspekte që nuk kanë qenë kurrë më të rëndësishme dhe për të cilat do të vazhdojmë të bëjmë akoma më shumë. Qasja jonë për elektrifikimin 100% dhe prezantimin e sigurt të drejtimit autonom ka angazhuar të gjithë kompaninë dhe ne do ta arrijmë këtë së bashku. Por, unë gjithashtu mendoj se në automobilat e gjeneratës së ardhshme elementi personal do të jetë më i rëndësishëm se kurrë. Lidhja e drejtpërdrejtë me klientët tanë do të bëhet një mundësi e madhe për rritje të qëndrueshme dhe fitimprurëse dhe do t'i shtojë vlerën markës sonë.
Kur blini një Volvo ose abonoheni për një të tillë, do të merrni përsëri një makinë të fortë, të besueshme, të sigurt dhe me cilësi të lartë. Megjithatë, nëse i shtojmë kësaj një përvojë gjithëpërfshirëse dhe të qetë me Volvo për klientët tanë, ne mund ta bëjmë atë markën e tyre të preferuar gjatë gjithë jetës së tyre. Lëvizshmëri që jo vetëm ju mbron ju, të dashurit tuaj dhe mjedisin, por gjithashtu ofron kënaqësi, komoditet dhe qetësi të plotë.
Së fundi, po them disa fjalë për kulturën tonë. Besimi është i rëndësishëm për mua. Do të doja që kjo të ishte një kompani që u beson njerëzve të saj për të bërë punën e tyre, një kulturë që ofron mundësi të barabarta për të gjithë, ku njerëzit tanë janë të fuqizuar të përdorin gjykimin dhe aftësitë e tyre për të ndihmuar në arritjen e objektivave tona kryesore.
Kjo do të thotë gjithashtu se ne jemi një kompani që ka fituar besimin e njerëzve të saj. Një kompani që është këtu për t'ju ofruar mbështetje kur t'ju nevojitet, cilado qoftë ajo. Dhe nëse diçka po shkon keq, unë dua që të gjithë të ndihen të sigurt për të folur dhe për të kërkuar ndihmë dhe udhëzime për të zgjidhur çështjen në fjalë. Ne do të fitojmë si skuadër: le të jemi të gjithë të fokusuar te misioni, dhe jo te ngritja e akuzave apo fajësimi.
Gjithsesi, mjaft folëm për momentin. Mund të duhet të jeni pak të duruar me mua javët e ardhshme sa të marr situatën nën kontroll, por kam në plan të vizitoj të gjitha operacionet tona dhe të ambientohem shpejt. Pre me padurim t'ju takoj dhe të fillojmë këtë aventurë së bashku.
Jim